ÇFARË GURË DUHEN PËR QARSHINË E VJETËR TË GJAKOVËS

Askush nuk e mohon se Qarshia e Vjetër është trashëgimi e posaqme, jo vetëm e Gjakovës por e gjithë Kosovës. Nuk besoj të ketë njeri në Kosovë e aq më pak në Gjakovë që të dëshirojë ta shohë të degraduar, të pluhërosur të varfër dhe të braktisur.
Por a nuk është kështu sot? A nuk janë shumica e dyqaneve të mbyllura dhe të degraduara? A nuk janë dritaret dhe dërrasat e shumicës së dyqaneve të pluhurosura dhe të ndyera? A nuk i dhemb sado pak cilitdo Gjakovar kur e sheh ashtu?
Me qindra herë kam shëtitur nëpër rrugë e rrugica dhe jam bërë si ciceron për diplomatë politikanë e njerëz tjerë që e kanë vizituar Gjakovën. Dhe jam krenuar me të kaluarën, me konceptin fantastik të zejeve të ndryshme ne rrugica të ndryshme. Jam krenuar me këmbënguljen e bashkqytetarëve të mi për ta ruajtur për shumë gjenerata. Jam krenuar me monumentin si tërësi por edhe me monumentet e veqanta. Duke filluar nga ato më të vjetrat, siq janë dy Hanet e Haraqisë dhe Xhamia e Hadumit, e deri te ato më të rejat, si për shembull restorani Veranda, si një momument i dhimbjes dhe krenarisë nga lufta e fundit.
Por, nuk mund të krenohem me të tashmen,… përpos një përjashtimi, Qarshia e Jupave! Kjo “mini” qarshi është kthyer në pikë referente për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë Gjakovën. As në kartpostale të Gjakovës nuk shihet më objekti i famshëm banesor me gjysëm unaza…, por, mu kjo qarshi. Me dizajn fantastik, me elegancë dhe me karakter të ruajtur të qarshisë të bën të ndihesh mirë. Dhe qëllojani se çka, është krejt ndryshe nga objektet e deritashme. I ka më shumë se dy kate!
Kurajoja e investitorit dhe e atyre që kanë dhënë leje ndërtimi duhet të shërbejë si mësim. Qarshia do të bëhet edhe më e bukur edhe më e vlefshme kur të bëhet e shfrytëzueshme. Kur aty të kthehet biznesi dhe rekreacioni.

Arnavut kaldirmi (kështu i thonë këtij kalldërmi në turqi)

Debati që po zhvillohet sot është totalisht i gabueshëm. Fillimisht, nëse flasim për fakte strikte historike, ky kalldërm nuk është origjinal. Është vendosur në kohën e komunizmit. Edhe qytetarët e gjeneratës sime e mbajnë mend kalldërmin me gurë të mëdhenj të rrumbullakët. Kështuqë ky kalldërm nuk e paraqet ndonjë trashëgimi kushedi se qfarë. Dhe, sa për korrektesë, nuk po e them këtë për shkak se është vendosur në kohë të komunizmit, por për arsyen e thjeshtë, se nuk është origjinal.
Dhe në anën tjetër Komuna ka vendosur që ta zëvendësojë me gurë tjerë më të mëdhenj, prej kudo qofshin ata! Përse? Çka do të ndodhë me qarshinë e vjetër pasi të zëvendësohen gurët? A do të kthehet biznesi? A do të kthehen qytetarët aty? A do ta arrijë shkëlqimin qarshia? Unë personalisht dyshoj.

Canterbury

Shumë prej nesh e kemi pasur fatin të shohim shumë qytete e rrugë të vjetra nëpër Europë e gjetiu. Unë personalisht kam jetuar dhe studiuar në një qytet të vogël por tepër historik në Angli. Në Canterbury. Një qytet me histori gati një mijë vjeqare. Dhe jam mrekulluar. I përngjan Gjakovës me shumëçka. E ka numrin pak më të vogël të banorëve se Gjakova por e ka në mes Katedralen më të famshme në Angli.
Edhe ne e kemi njërën prej xhamive më të famshme në Kosovë.
E ka një lum që i shkon përmes, me shumë peshk dhe shumë pata.
Edhe Gjakova e ka Krenën, vetëm se pa peshk e pa pata!
Ka shumë rrugica ku zhvillohen zeje dhe veprimtari të ndryshme.
Edhe Qarshia e vjetër i ka.
Në fund e ka edhe rrugën kryesore që ata e quajne “high street”.
Edhe ne e kemi rrugën kryesore Ismail Qemali.
Por ka edhe ndryshime. Është shëtitorja kryesore e qytetit. Ka shumë, shumë herë më tepër njerëz që shetisin dhe bëjnë shoping. Ka pakrahasueshëm më tepër turistë. Ka më shumë kafene, restorante, bujtina, dyqane kompjuterësh. Ka shumë më shumë librari. Dhe në fund e ka rrugën kryesore (high street) të shtruar në mermer mu sikur sheshi Nënë Tereza në Prishtinë. Po, po, mu ashtu e ka.
Një ditë, udhëheqësit dhe qytetarët e këtij qyteti kanë vendosur se rruga kryesore duhet të shtrohet në mermer. Nga skaji në skaj. Dhe se gurët e kalldërmit (cobble stones) duhet të ruhen vetëm aty ku nuk i pengojnë këmbësorët. Nën ulëset publike, në vendet e posaqme ku kalojnë veturat dhe nën skajet e vitrinave. Kanë menduar se nënat duhet të kenë mundësi t’i shtyjnë karrocat me fëmijët e tyre pa i shkundur ata. Se gratë duhet të mund të shëtisin me taka, se fëmijët duhet të kenë mundësi të lëvizin lirshëm me “rroshla”. Dhe të gjitha këto me qëllim që njerëzit dhe turistët të kthehen në qytetin e vjetër. Që ai vend të bëhet shetitorja kryesore e qytetit, që të kthehet jeta dhe biznesi aty.

Gjakova

Ringjallja e qarshisë së vjetër nuk bëhet me ndërrim të gurëve sepse një gjë e tillë nuk do të ndryshojë asgjë. Komuna duhet të ketë program të posaqëm për ta “ringjallur” qarshinë. Dhe ai program duhet t’i ketë dy elemente. Infrastrukturën e përshtatshme dhe kthimin e biznesit në qarshi. Dhe të dyja janë të realizueshme.
Infrastruktura nënkupton shëtitore të rrafshët me ulëse, disa vepra arti dhe ndriqim të mirë, asgjë tjetër.
Ndërsa kthimi i biznesit kërkon subvencionim.
Edhe deri më tani, komunat e Kosovës kanë subvencionuar veprimtari të ndryshme me qëllim të zhvillimit dhe punësimit. Komuna e Gjakovës duhet të hapë konkurs për një numër të caktuar të veprimtarive të ndryshme. Dyqane rrobash e konfeksioni, të teknikës së bardhë, dyqane të kozmetikës, argjentarë, floktarë, kafeteri, ëmbëltore, etj. Dhe ato t’i lidhë me kontratë subvencionimi. Përmes asaj kontrate komuna do t’iu paguajë qiranë për një vit këtyre veprimtarive dhe do t’i obligojë ato që të veprojnë për aq kohë sa zgjat kontrata dhe të punojnë edhe në orët e mbrëmjes. Dhe assesi nuk duhet ta mbyllë rrugën kryesore për “korzo”gjatë verës….

Qarshia e vjeter do te “ngjallet” kur aty te kthehen njerëzit. E ata kthehen për të shetitur, për të blerë ndonjë gjësend, për të lexuar gazetën në ndonjë kafene ose ulëse eventuale. Për t’i nxjerrur fëmijët në sheti. Për ta kaluar pak kohë të lirë, në fund të fundit. Kur te kthehen gjakovarët do te kthehet edhe turizmi dhe biznesi. Dhe si rrjedhojë më shumë të hyra për banorët dhe komunën.

Nëse komuna dhe qytetarët do të bien në ujdi për një plan sikur ky që e përmenda, qarshia e vjetër do të bëhet shetitorja më e famshme dhe më e preferuar në Kosovë. Në më pak se dy muaj pas implementimit. Dhe asnjë nga bizneset nuk do të dëshirojë të largohet nga aty mëpastaj.

Kjo që shkrova është thirrje për të gjithë Qytetarët e komunës, prej Rogovës deri në Hereq dhe prej Jabllanicës deri në Morinë. Por posaqërisht për miqt e mi të qytetit të vjetër dhe të gjithë miqt e mi në Kuvendin Komunal, prej Kryetarit Lekaj e më poshtë. Gjakova është e të gjithëve. Dhe më shumë se kaq, ka gjithqka për të qenë e mrekullueshme. Njerëzit, historinë, gjeografinë, lirinë…
Ta bëjmë qarshinë e vjetër shetitoren kryesore të qytetit!
Ta nxjerrim një plan në njëqind vjetorin e pavarësisë. Edhe komuna jonë ka dhënë shumë për këtë ditë!!!

Ardian Gjini
Deputet në Kuvendin e Kosovës
Kryetar i grupit parlamentar të AAK

Print
This entry was posted in Blog. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


+ 6 = 10

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>